Afati për pagesën e faturave të tatimit në pronë shtyhet deri më 30 qershor 2022

 

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Riad Rashiti ka njoftuar se pas shpërndarjes së faturave të tatimit në pronë për vitin 2022, afati për pagesën e faturave të tatimit në pronë është shtyrë deri më datë 30 qershor 2022, për të gjithë tatimpaguesit.

Tutje thuhet se personi i cili beson në mënyrë të arsyeshme se fatura e tatimit është e pasaktë, se ka gabime në regjistrat e tatimit në pronë mbi të cilat është bazuar fatura e tatimit, mund të ushtrojë ankesë dhe të kërkojë rishqyrtimin plotësisht ose pjesërisht të faturës së tatimit nga komuna.

“Ata të cilët kanë vështirësi të mëdha për pagesën e tatimit në pronë, mund të lajmërohen dhe të bëjnë kërkesë për shtyrjen e pagesës (deri në dy vite- vetëm për faturën e vitit 2022) me arsyeshmëri të gjendjes së rënduar të ekonomisë familjare apo të biznesit”, ka nënvizuar Rashiti.

Sipas tij, borxhet e qytetarëve që i kanë për tatimin në pronë tejkalojnë shumën e 10 milion euro.

“Komuna e Gjilanit kërkon nga të gjithë tatimpaguesit të cilët kanë borxhe nga viteve paraprake deri në vitin 2021, të kryejnë pagesat në tërësi deri më 20 maj 2022. E nëse debitori nuk paguan detyrimet tatimore të papaguara në datën e përcaktuar për pagesë, komuna e Gjilanit është e detyruar të veprojë sipas ligjit ligjit nr.06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme dhe rregullores nr.07/2021 mbi pezullimin e shërbimeve komunale. Poashtu komuna fillon zbatimin e masave të mbledhjes së detyrueshme, duke filluar me dërgimin e njoftimit përfundimtar dhe vendimin për ekzekutimin e detyrimeve tatimore të papaguara përmes përmbaruesit”, ka thënë drrejtori Rashiti.

Sipas tij, për t’ia lehtësuar qytetarëve pagesën e borxhit dhe mos-pezullimin e shërbimeve, ju mundësohet nënshkrimi i marrëveshjes për pagesë prej 12 deri në 24 këste mujore. Për këtë, duhet të lajmërohen qytetarët te zyrtarët e tatimit në pronë në komunën e Gjilanit.

“Lusim të gjithë qytetarët e Gjilanit, që të respektojnë afatet ligjore dhe mundësitë të cilat mund të shfrytëzohen për të lehtësuar shlyerjen e obligimeve të papaguara”, ka ai./Zhegra Ime/

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.