Drita shpallet kampione e Kosovës

 

Drita është shpallur kampione e Kosovës pas një finaleje drithëruese kundër Fer Volley, në përballjen e katërt të playoffit, me gjilanaset që triumfuan pas tri fitoreve e një humbjeje.

Dy ekipet kanë dhuruar spektakël të vërtetë në përballjen absolutisht spektakolare që u zhvillua sonte në Palestrën ‘Bill Clinton’ të Ferizajt, në praninë e mbi 1500 tifozëve.

Ishte një lojë që do të mbahet mend gjatë nga voejbolldashësit, derisa për dy orë ishim dëshmitarë të një ndeshjeje që i pati të gjitha.

Ishin ‘Intelektualet’ ato që festuan në fund, duke fituar me rezultat 3-2 (25-20, 20-25, 25-21, 23-25, 11-15) në sete, për të nxitur skena absolutisht brilante të festës së trajnerit Lorik Ilazi dhe vashave të tij.

Ky është trofeu i dytë që Drita e fiton këtë sezon, pas Kupës së Kosovës javë më parë.

Medaljet e argjendta për ekipin ferizajas u ndanë nga nënkryetari FVK-së, Abedin Ibrahimi, anwtarët e bordit Halime Fetahu e Valon Xhafaj dhe trajneri i mirënjohur tetovar, Namikqemal Mustafa.

Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, nënkryetarja Mimoza Shkodra dhe anëtari i bordit, Gazmend Husaj ndanë medaljet e arta për kampionet.

Presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci ia dorëzoi trofeun prestigjioz kapitenes së Dritës, Adelajda Prenga, para ngritjes tradicionale për ngazëllimin e tifozëve gjilanas që kishin udhëtuar për të parë nga afër ekipin e zemrës.

Federata e Volejbollit të Kosovës uron Dritën për suksesin e arritur dhe njëkohësisht duartroket angazhimin e treguar nga Fer Volley gjatë këtyre katër ndeshjeve spektakolare.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.