Në përkujtim të martirëve nga Zhegra, – me rastin e 22 vjetorit

 

Në vitin 1999, shqiptarët në Kosovë po përjetonin ditë të vështira. Në shekullin XX, në Ballkan, në mes të Evropës, po ndodhte diçka e tmerrshme – lufta. Lufta në Kosovë kishte filluar e pashpallur, edhe më heret, me qëllim që të fshehej prej opinionit demokratik evropian e botëror. Po bëhej luftë edhe më 1997 e më 1998.

Më 1999, pas Konferencës së Rambujesë, përkatësisht mosarritjes së marrëveshjes, po niste luftë e shpallur. Një makineri vrastare serbo-sllave po zbarkonte në Kosovë. Bota demokratike po jepte alarmin se do të intervenonte ushtarakisht për të ndalur konfliktin. Aleanca Veri-Atlantike, Pakti NATO, forca më e madhe ushtarake në botë, po përgatitej për intervenim.

Një Perandori, ajo jugosllave , kish nisur përfundimisht shpërbërjen dhe shkatërrimin. Po shpurdhte dhe po jepte shpirt. Kjo krijesë artificiale nuk kishte edhe tjetër fat! Po vozhdët e udhëheqësit serbosllavë po kërcëllonin dhëmbët. Kryekrimineli çetnik, Shesheli, kishte pohuar edhe më heret, edhe pa filluar bombardimi nga NATO- ja se në atë moment kur do të bien bombat e para të Aleancës mbi Serbi, do të fillojë hakmarrja ndaj shqiptarëve dhe përzënia e tyre nga Kosova e çuarja përtej Bjeshkëve të Nemura.

Dhe vërtetë, kur NATO- ja filloi bombardimet kundër forcave ushtarake serbe më 24 mars 1999 . Ushtria serbe, e ndihmuar nga njësitë paramilitare, nisi ofensivën e saj luftarake në Kosovë. Në pamundësi të përballej me NATO-n dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi hakmarrja ndaj popullatës civile të paarmatosur. Kriminelët serbë donin të zhbinin çdo gjë shqiptare mbi dhe.

Se mos ishte kjo hera e parë që po ndodhte në përballje të popullit shqiptar me okupatorët serbosllavë! Përballja ishte shekullore. Historia po përsëritej. U ndoq stërgjyshi; gjyshi, babai e tash edhe djali e nipi!

Katrahura, si gjithkund në Kosovë, po ndodhte edhe në Zhegër, rrethinë e Karadakun e Gjilanit., pas 24 marsit 1999. Gëzim më të madh në jetë nuk kishin ndie njerëzit kurrë se atë ditë kur NATO filloi bombardimin e forcave ushtarake serbosllave. Po njëkohësisht edhe droja e frika nga hakmarrja po shfaqej natyrshëm te njerëzit. E njëmend ajo droja nga më e keqja po ndodhte…

Pikërisht më 29 mars 1999, ditë e hënë, në orët e pasditës, në hyrje të fshatit Zhegër, me dhjetra autobusë zbarkuan paramilitarë, formacione çetnike serbosllave. Nuk vonoi e nisi ”operimi” i tyre në fshat., të etur për gjakun e shqiptarit. Kështu, bie viktima e parë e fshatit. Vritet në pragun e derës Shyqeri Tahiri. Plagoset Nexharije Tahiri, kurse rrahet e ndiqet Sadri Tahiri, i cili, për fat, u shpëton plumbave duke u arratisur jashtë lagjës, në brendësi të fshatit.

Shyqeriu ishte viktimë e parë në fshat. Po terrori nuk po përfundonte me kaq. Alarmi ishte dhënë e ishte krijuar panik e rrëmujë. Kish nisur braktisja e fshatit dhe strehimi në kodrat përrreth dhe vendosja në fshatrat fqinjë, në Stubëll, Goden, Remnik, Gjylekar etj.

Më së keqi po pèsonin lagjet në hyrje të Zhegrës. Ato ishin të bllokuara nga njësitë paraushtarake serbe. Komunikimi me lagjet tjera të fshatit ish bë i pamundur dhe nuk mund të bèhej as zhvendosja e largimi nga fshati. Familjet u detyruan të ngujohen nëpër shtëpi, duke pritur në ankth se ç’do të sillte dita e nesërme. Jetë a vdekje!

Ishte lajmi kobshëm që u përhap shpejt e ngriu zemrat e njerëzve: u vra Milazim Idrizi, arsimtar veteran, Qazim Haziri dhe Qamile Haziri ( burrë e grua). Të njëjtë ditë u vranë edhe Ukshin Ukshini dhe Miradije Ukshini – bashkëshortë. U shtua numri i martirëve në fshat.

Fshati u boshatis fare pothuaj dhe banorët po largoheshin grupe-grupe, disa në kolonë drejt kufirit të Maqedonisë, disa po qëndronin në malet përrreth e disa ishin vendosur edhe në fshatrat e afërm, si në Stubëll, Goden, Remnik e Gjylekarë. Në fshat kishin mbetur vetëm disa pleq, të cilët nuk deshtën ta lënë fshatin ose pse ishin të sëmurë.

Formacioneve paraushtarake dhe ushtarake serbosllave për të bërë krime, po u ndihmonin edhe shumë serbë lokalë të fshatit. Po digjeshin shtëpitë, po plaçkitej ekonomia familjare, e cila ishte fituar me djersë e mund shumëvjeçar. Po dora e kriminelit po prekte atë që ishte pasuria më e madhe – jetën e njeriut. Vazhduan vrasjet, po edhe dhunimet e femrave.

Në Terziaj u vra plaku Raif Rrustemi. Në Zhegër u vranë: Tafë Mustafa, plak dhe person me nevoja të veçanta, i riu Fitim Isufi, poashtu person me nevoja të veçanta, u vra Avni Zenuni. Kriminelët nuk dinin as për moshë, as për sëmundje e gjini.

Në kufirin Kosovë-Maqedoni, ushtria serbe e mobilizuar me rezervistë, vrau të rinjtë Hasan Maloku dhe Ukshin Maloku, që të dy nga fshati Selishtë, si dhe të riun Sabedin Hamiti nga Zhegra. Pati edhe disa të vdekur, pasojë e luftës apo që vdekja e tyre mbeti enigmë, siç qe rasti i plakut Rahim Kurteshi, i cili u gjet i vdekur në mal.

Të plagosurit e fshatit janë: Nexharije Tahiri, Mirishahe Kadriu, Arsim Sejdiu, Skender Selimi, Bedrije Selmani dhe Sahit Isufi e Arsim Sejdiu.

Si edhe në gjithë Kosovën, edhe në Zhegrën e Idriz Seferit, të Agim Ramadanit, të Shaban e Sami Ukshinit, kjo katrahurë mori fund më 12 qershor 1999.

Agoi Liria. Liria e ëndërruar me shekuj dhe e fituar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të popullit tonë. Jo vetëm të një brezi dhe të një kohe. Vendi u çlirua njëherë e përgjithmonë. Kishte nisur kthimi i njerëzve në vendbanimet e tyre. Të parat po ktheheshin ata njerëz dhe ato familje që kishin qëndruar në Kosovë edhe gjatë luftës. Kështu po ndodhte edhe në Zhegër. Të parët u kthyen ata që ishin strehuar në vendbanimet përrreth, pastaj refugjatët që qëndruan tre muaj në Maqedoni, në kampet apo familjet e atjeshme.

Disa familje gjatë luftës u patën vendosur edhe në shtete të nryshme evropiane e në Amerikë e gjetiu dhe ato, disa, nuk u kthyen as sot.

Zhegra gjatë luftës ishte bërë shkrumb e hi: mbi 400 shtëpi të djegura, disa me themel e disa pjesërisht, prona dhe ekonomia familjare e shkatërruar. Për shumicën e familjeve, jeta po niste nga fillimi, nga zeroja… -Po ajo që ishte më e keqja- dëmi në njerëz. Ai nuk mund të kompenzohej. Zhegra dhe Selishta po ndienin mungesën e banorëve të tyre. Dhe kjo ishte ajo më e dhembshmja!

Babait e nënës po u mungonte djali, djalit e vajzës po u mungonte babai e nëna, vëllait e motrës po u mungonte vëllai, gruas po i mungonte bashkëshorti… – Çaste të dhimbshme po përjetonte Zhegra, po dhe krenarie njëkohësisht. Krenarie për trimërinë luftarake të Agim Ramadanit dhe rënies si hero e komandant në Koshare.

Çaste të dhembshme dhe krenarie njëkohësisht, po përjetonte Zhegra për martirët: Milazimin, Qazimin, Qamilen, Ukshinin; Miradijen, Shyqeriun, Raifin, Tafën, Fitimin, Avniun, Sabedinin. Selishta për Hasanin, Ukshinin. Dhe sot, kur u realizua ëndrra jonë shekullore dhe u fitua liria, le të jemi krenarë të gjithë.

Familjet e martirëve e dëshmorëve, dhimbjen ta mundin me krenarinë, sepse kurbanë të lirisë u bënë më të dashurit e tyre. Martitët janë kurbanët e lirisë, të Republikës së Kosovës, të Shtetit të Kosovës. Do të kalojnë vjet e përvjetorë, pa kufi. Kujtimi dhe nderimi për ta do të jetë i përjetshëm !

Zoti i bekoftë familjet e dëshmorëve dhe të martirëve ! / Bilall Haliti / Zhegra Ime /

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.