PSE ZHEGRA DUHET TË BËHET KOMUNË?
Decentralizimi territorial dhe administrativ në kuptimin më të thjeshtë krijon premisa lehtësuese zhvilluese dhe qeverisëse dhe, e ofron pushtetin më afër qytetarit. Në të gjitha aspektet hapë perspektivë dhe i favorizon objektivat individualë dhe shoqërorë në sferat e resurseve demografike, arsimore, në sferat e ekonomisë, të biznesit, të kapitalit privat dhe të resurseve të tjera të mundshme.

Mund të aludohet që në Kosovë janë në trend konceptet dhe iniciativat për formimin e komunave të reja dhe pak a shumë dihet se pse. Mirëpo po të shihet gjendja në mënyrë reale-analitike, pavarësisht nga të gjitha vendi ka nevojë që të ecën edhe më tej në fushën e decentralizimit të pushtetit lokal, me formimin e mëtejmë të komunave të reja. Kjo, për shkak se dyndja e madhe e popullsisë nëpër qytete, si dhe rritja e mundësive dhe e resurseve potenciale ekonomike, teknologjike, industriale, telekomunikuese etj., shpinë këtë drejtim domosdoshmërisht.

Formimi i komunave të reja do të mundësonte në një masë zvogëlimin e lëvizjes së popullsisë brenda vendit, si dhe do të krijonte kushte të reja që vendbanimet aktuale urbane të shkarkoheshin sado pak nga grumbullimi enorm dhe i pakontrolluar i popullsisë në periferi të tyre.

Qytetet tona aktuale janë invaduar nga popullsia rurale (e fshatrave) e cila është shndërruar për to në një barrë të papërballueshme administrative, ekonomike, hapësinore, energjetike etj.! Në planin afatgjatë, qytetet tona rrezikojnë të hyjnë në krizë të varfërisë sociale, të furnizimit me ujë, të urbanizimit sipas standardeve evropiane, të papunësisë enorme, të krimit etj. Prandaj, kësaj situate është dashur që moti t’i dilet përpara me të gjitha mjetet dhe jo vetëm të pengohet, por edhe të stimulohet strategjia që stopon sa më shumë që të jetë e mundur lëvizjen e brendshme të pakontrolluar të popullsisë dhe kësisoj, edhe stopimin e kaosit të vërtetë demografik dhe urbanistik.

Nuk mendoj që secilën iniciativë apo secilën kërkesë të një territori apo vendbanimi duhet shndërruar apriori në dekret komune të re, mirëpo as nuk mendoj që duhet pritur pafund iniciativat dhe vullnetet legjislative dhe ekzekutive, sepse janë në pyetje interesat tona të përbashkëta dhe të krejt vendit. Sidomos, atje ku ka elemente dhe fakte të fuqishme se komuna e re e ardhshme i ka të gjitha mundësitë për ekzistencë, me pak përkrahje materiale ajo duhet ndihmuar edhe “de jure”.

S’ka pse të kalkulohet dhe as pse të pritet gjithandej duke e kafshuar kohën dhe vullnetin politik, si dhe duke e justifikuar mungesën e legjislacionit. Sepse, mendoj që ngritja e kuantitetit qeverisës në suaza të pushtetit lokal apriori krijon lehtësi, cilësi dhe respekt moral dhe ligjor për qytetarin, pavarësisht se cilit rajon i takon, cilit komunitet etj.

Iniciativa dhe vendimi për komunën e re të Hasit, pavarësisht nga çdo aludim dhe analizim politik apo ngjashëm, është jo vetëm hap i qëlluar, porse është edhe hap në stopimin e mëtejmë të dukurive me pasoja të mëdha që tashmë i ka shkaktuar në terren lëvizja e popullsisë brenda vendit, si dhe një hap që e bënë më të lehtë jetën e qytetarit në çdo aspekt.

Ky trend i formimit të komunave të reja, me pak vullnet të mirë dhe me strategji qeverisëse aktuale është jo vetëm i mundshëm dhe realitet, por edhe i zbatueshëm, efikas.

Zhegra, e cila shtrihet në juglindje të vendit (rreth 60 kilometra larg kryeqytetit), është një territor i cili qysh moti, si nga pikëpamja demografike, historike, territoriale, gjeografike, ekonomike, administrative, strategjike etj., i ka të plotësuar kushtet për të qenë komunë më vete. Fakti që ky vendbanim plotëson aspektin demografik (përbëhet prej mbi 13 fshatrave), atë gjeografiko-natyror (posedon hapësirë malore dhe bujqësore), atë rrugor-komunikativ (ka reliev rrugësh të përshtatshme për komunikim me këto komuna: me Gjilanin, Vitinë, Preshevën dhe Kumanovën), atë kuadror (ka një armatë të tërë njerëzish me shkollim të lartë në degë të ndryshme), atë ekonomik (ka një diasporë mjaft të fuqishme)… nuk lënë asnjë dyshim që Zhegra sa më shpejtë që të jetë e mundur të bëhet komunë.

Zhegra, duhet potencuar këtu që edhe nga pikëpamja strategjike dhe administrative duhet të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur komunë, sepse tashmë ky vendbanim është pikë doganore (pikë e Stançiqit) e marrëevshjes së nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Kjo arterie doganore e cila kalon nëpër Zhegrër tejpërtej, do të jetë arterie lidhëse për disa shtete (Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Bullgaria, Turqia etj.), sepse e shkurton relacionin aktual të rrugës Prishtinë-Shkup-Kumanovë-Sofje për mbi 30 kilometra.

Që Zhegra të bëhet një komunë jo vetëm mjaft e qëndrueshme, por madje edhe e fuqishme, mund të shqyrtohen dhe mund të analizohen edhe preferenca shtesë. Janë katër fshatra (Stublla e Epërme, Godeni, Stublla e Ulët dhe fshati Remnik), që me pak vullnet qeverisës-institucional, si dhe me pak bashkëpunim aktual reciprok, si dhe duke u mbështetur edhe në rrethana të tjera lehtësuese (territoriale, demografike, familjare, farefisnore, arsimore, bujqësore etj.), do të mund t’i bashkoheshin komunës së Zhegrës. Nëse jo sot, atëherë nesër… pse jo?

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.