Në Galerinë e Artit Pamor të Gjilanit ështtë hapur ekspozita personale “Retrospektiva” e grafistit të spikatur, Rasmi Vllasaliu.

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje kulturore, artistë dhe artëdashës të artit pamor, e të tjerë janë përshendetur nga Kushtrim Zeqiri, Drejtor Komunal i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në Gjilan.

Drejtori Zeqiri duke folur për ngjarjën në fjalë, ndër tjera tha: “ Për ne është kënaqësi të kemi një eskpozitë të degës së grafikës, si kjo! Kjo për faktin se është degë e ndërlikuar e artit për ta realizuar. Dhe ekspozitat e tilla rrallë, për të mos thënë asnjëherë më parë, nuk janë realizuar në galerinë tonë”.

Kreu i kësaj Drejtorie e ka falenderuar autorin në emër të Komunës së Gjilanit për ekspozitën e tij të mrekullueshme.

Ndërkaq nga konferencieri i kësaj ngjarje është lexuar teksti vlerësues i Jeton Rexhepit, meqë, nuk ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

“Krimitaria artistike në grafikën origjinale të autorit, Rasim Vllasaliu është e bazuar në imazhet e vendlindjes, nga përpjekja masksimale e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, ambientet që na rrethojnë dhe tradita kombëtare, që në mënyrë kreative shpërfaq vlerat e shquara nga krijimtaria e mirëfilltë pamore.

Grafisti si proces teknik dhe artistik gjatë punës së vazhdueshme me përkushtim të lartë ka arritur për të shpërfaqur dhe transmetuar imazhet e tij përmes shenjave, sinjaleve dhe simboleve, ka nënvizuar Rexhepi.

Sipas tij është thënë se grafiku gjatë punës së tij kreative idenë e determinon me temë dhe përmbajtje të caktuar. Atëherë, grafika krijohet si korelacion i kohës nga arti tradicional në raport me artin bashkëkohor.

Rexhepi ka thënë se në grafikat e Rasim Vllasaliut vërehet mjeshtria e nuancave tonale, vija, sipërfaqja, struktura dhe ritmi në përgjithësi.

Nga ana tjetët, Avni Behluli tha se në këtë eskpozitë retrospektive shquhen imazhe nga vendlindja, trolli ku jeton, mjetet e punës, trashëgimia kulturore duke u shërbyer me pamje nga e kaluara në inkoroporim të të sotmes.

Ai tha se arti i Rasim Vllasaliut gërshetohet me strukturë, forma vizuele bashkëkohore, por gjithnjë duke e ruajtur traditën.

Kurse, Musë Prelvukaj ndër tjera tha: ”Rasimi në këtë ekspozitë retrospektive ecë nëpër kohë duke përdorur të gjitha teknikat, që do të thotë se autori është universal në krijimtarinë e tij artistike”

Duke vlerësuar të arriturat e autorit, Prelvukaj theksoi të dhënën se veprat e Rasimit veçohen, sepse janë origjinale, e nuk janë imitime. Janë krijime që burojnë nga thellësia kreative e shpirtit të tij.

E, Zejnullah Zejnullahu kujtoi fjalët e profesor Fatmir Krypa, i cili i kishte thenë Rasimit se kishte ndjenjë për grafikën.

Sipas tij, profesori i nderuar Fatmir Krypa e kishte quajtur autorin e kësaj ekspozite edhe si perspektiva grafike e Kosovës.

“Rasimi nuk ngatërrohet me të tjerët, i perfeksionon ngjyrat në teknikën e akuatintës dhe në bakërshkrim e drugdhendjes”, tha Zejnullahu.

Në përmbyllje të ngjarjës, autori Rasim Vllasaliu ka falenderuar pjesëmarrësit në këtë ekspozitë, e pastaj tha se gjithë punën e tij të deritanishme e ka realizuar ndër vite me përkushtim dhe vullnet të lartë. Ekspozita mbetet e hapur deri më 3 tetor. /Zhegra Ime/