Më 19.11.2022, u mbajt Olimpiada e XV Matematike e Gjilanit – OMGJ 2023. Olimpiada u mbajt në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) dhe Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjilan.

Më 19.11.2022, u mbajt me sukses Olimpiada e XV Matematike e Gjilanit – OMGJ 2022. Olimpiada u mbajt në hapësirat e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (ShMK), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan. Në olimpiadë morën pjesë rreth 70 nxënës të klasave IX-XII, të shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta të Komunës së Gjilanit. Olimpiada u organizua me standarde tejet të larta dhe kushte shumë komode të ofruara nga shkolla mikpritëse.

Në fillim drejtoresha e DKA-së zonja Albana Demiri, iu drejtua me një fjalë rasti të pranishmëve dhe më pas bëri hapjen zyrtare të Olimpiadës. Ajo iu drejtua nxënësve me fjalë inkurajimi, duke i uruar që të vazhdojnë traditën e sukseseve në matematikë të nxënësve tanë. Ajo poashtu premtoi një përkrahje edhe më të madhe të DKA-së dhe Komunës së Gjilanit, për këta nxënës të talentuar.

Drejtoresha poashtu vlerësoi lartë punën e koordinatorit komunal të këtyre olimpiadave, profesorin e matematikës Festim Shkodra si dhe stafin e bashkëpunëtorëve të tij, për mbajtjen me standarde tejet të larta të kësaj gare, për 15 vite me radhë.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe profesori Xhevdet Thaçi – prorektor i Universitetit “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan. Ai iu uroi këtyre talenteve të matematikës një ardhmëri të ndritshme me dëshirë që në të ardhmen ndonjë nga ta edhe të studioj në UKZ.

Drejtori i gjimnazit mikpritës, z. Bekim Mustafa ju dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe ju uroi sukses si dhe shprehu gatishmërinë për përkrahje të organizimeve të këtilla të dijes edhe në të ardhmen.

Me nga një fjalë rasti iu drejtua garuesve edhe koordinatori i OMGJ 2023, profesori Festim Shkodra.

Ai iu tha nxënësve garues, se me vetë pjesëmarrjen e tyre në këtë garë të gjithë janë fitues, sepse kanë mbërri këtu pas një përgatitje të madhe.

Shkodra iu tha nxënësve se shumë profesione e kanë themelin në matematikë prandaj zotërimi i mirë i saj, iu siguron atyre në cilindo profesion një përgatitje më të mirë falë ndërtimit të kësaj shkence si dhe nxitjes të mendimit të thellë kritik dhe logjik në të.

Ai iu rikujtoi poashtu garuesve se pikërisht këto gara ishin pikënisje për shumë ish-garues tanë, që kanë mbaruar dhe po mbarojnë studimet në universitete prestigjioze nëpër botë, me rezultate të shkëlqyeshme. Koordinatori i falënderoi gjimnazin “Xhavit Ahmeti” dhe DKA-në në Gjilan për përkrahjen në vazhdimësi për organizimin e këtyre olimpiadave por me dëshirë për ta rritur edhe mëtej këtë përkrahje nga institucione komunale.

Pas mbarimit të olimpiadës OMGJ 2023, u shpallen rezultatet zyrtare si vijon:

KLASA IX
Alina Bajrami – SHMU “Esat Berisha” , Llashticë / vendi i I
Erisa Dushica – SHMU “Selami Hallaçi” , Gjilan / vendi i II
Lijana Daku – SHMU “Abaz Ajeti” , Gjilan / vendi i III

KLASA X
Erdi Syla – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i I
Blina Hajdini – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i II
Triumf Dërmaku – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i III

KLASA XI
Era Januzi – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i I
Aridon Ahmeti – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i II
Blerand Ajeti – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i III

KLASA XII
Olt Imeri – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i I
Alma Berisha – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i II
Lejla Ahmeti – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” , Gjilan / vendi i III

Këta nxënës u shpërblyen me medalje, mirënjohje dhe libra. Poashtu nga një mirënjohje për pjesëmarrje në olimpiadë iu dha edhe të gjithë garuesve tjerë, duke iu dëshiruar suksese më të mëdha herave tjera. Nxënësja e klasës së IX Alina Bajrami nga SHMU “Esat Berisha” në Llashticë, tregoi suksesin më të lartë nga të gjithë garuesit. Me mirënjohje u nderuan edhe mësimdhënësit e nxënësve fitues, anëtarët e komisioneve punuese të olimpiadës si dhe të gjithë ata që kontribuan për mbarëvajtjen e kësaj olimpiade. Posaçërisht u falënderuan mediat dhe portalet lokale për përcjelljen e kësaj gare si dhe kompanitë: “GanDizajn”, “Buna”, “SyriMobile” për përkrahjen e kësaj gare. Një ndihmë të madhe logjistike për mbajtjen e OMGJ 2023 e dhanë edhe Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan dhe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan.

Për kontributin e dhënë ndër vite, në organizimin e olimpiadave matematike të Gjilanit dhe përgatitjen me sukses të nxënësve për to, u shpërblyen me mirënjohje edhe mësimdhënësit e matematikës Ramiz Bajrami dhe Rexhep Sejdiu, të pensionuar sivjet.

Ekipi fitues i Komunës së Gjilanit, do të marrë pjesë më 03.12.2022 në Olimpiadën e XV Matematike të Kosovës – OMK 2023, në Prishtinë, që do të mbahet në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë me fillim në ora 10.00.

Nga OMK 2023 përzgjedhen 20 garuesit më të suksesshëm, që i nënshtrohen më pas një testi seleksionues TST, për përzgjedhjen e ekipit shtetëror që do të marrë pjesë në Olimpiadën e 64-të Ndërkombëtare të Matematike – IMO 2023 që sivjet mbahet në muajin korrik në Japoni.

Gjithashtu nga këto gara përzgjedhet ekipi i Kosovës, prej 4 vajzave, që do të marrë pjesë në Olimpiadën Europiane Matematike për Vajza – EGMO 2023, që sivjet mbahet në muajin prill në Slloveni dhe një pjesë e ekipit të Kosovës, nga nxënësit e klasave të IX, që do të marrë pjesë në Olimpiadën Matematike Kosovë-Shqipëri – KAMO 2023, që sivjet pritet të mbahet në muajin korrik.

I urojmë shumë suksese ekipit të Komunës së Gjilanit, në olimpiadat vijuese! /GJILANI INFO/