Zija Aliu, ishte ikona kulturo-artistike e valleve burimore shqiptare

 

NGA SAMI ARIFI

Me dhimbje të madhe morëm lajmin për vdekjen e mikut të madh, kontribuesit të kulturës dhe të arsimit, ikonës kulturo-artistike të valleve burimore shqipe, Zija Aliut.

Zija Aliu ka dhënë kontribut të pakontestuar në lëminë e kulturës në Anamoravë dhe në të gjitha trojet shqiptare, duke e ditur se kultura shkëputë zinxhirtë e robërisë te popujt e robëruar, ai ishte i përkushtuar në veçanti përmes valleve burimore shqipe të jep kontributin për popullin e tij.

Ikona e valleve burimore shqipe, Zija Aliu, u lind më 22 janar 1951 në fshatin Remnik të komunës së Vitisë, shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesmën normalën e kishte filluar në qytetin e Gjilanit, por e përfundoi në qytetin e Ferizajt, meqë ishte përjashtuar nga normalja në Gjilan si pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Zija Aliu ishte kontribues si mësimdhënës gjatë viteve 1972-1992 nëpër shkolla të ndryshme. Gjatë viteve 1982-1987 ishte i përjashtuar nga procesi mësimor për shkakun e vënies në skenë të ashtquajturës së “Vallës së Kaçakëve” në Festivalin Ballkanik të Folklorit “Ohri 81”.

Veprimtaria kulturore e ikonës së valleve burimore shqipe, Zija Aliu, ishte jashtëzakonisht e bujshme, ai ishte anëtar i SHKA “Zenel Hajdini” në Gjilan gjatë viteve 1968-1971, anëtar i SHKA “Kastrioti” në Ferizaj. Në vitin 1972 themelon SHKA “Rreze Dielli” në fshatin e lindjes në Remnik. Zija gjatë viteve 1972-1975 vepron në SHKA “Ramiz Sadiku” si dhe në Ansamblin “Shota” në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 themeloi ansamblin “Kemajl Azizi” në komunën e Vitisë të cilin e pagzuan në emër të këtij dëshmori.

Vargu i pjesëmarrjes nëpër festivale i ikonës së valleve burimore shqipe ishte i pandalshëm: Në mes vitesh 1971-2008 pjesëmarrës i festivaleve në qytetet Gjilanit, Gllogovcit, Prizrenit e të Prishtinës, ai ishte pjesëmarrës i dhjetëra e dhjetëra përfaqësimeve të RK-së në shtete të ndryshme të Ballkanit e të Evropës, gjithashtu ai gjatë viteve 1993-2003 ishte kontribues dhe anëtar i AKV “Gurra” nga Gjilani si valltar dhe performues i lojërave popullore dhe sponzorizues i veprimeve brenda e jashtë RK-së. Zija ishte tri herë valltar më i mirë i RK-së për luajtjen dhe demonstrimin e valleve burimore të Karadakut. Në festivalin e folklorit në Francë në mesin e 16 shteteve pjesëmarrëse nderohet me kupën “Ganat 2005”, ndërsa në vitin 2006, në qytetin e Ankaras së Turqisë merrë shpërblimin special për kontribut të veçantë, dhënë kulturës, ndërsa në Shqipëri “Bajram Curri 2008” nderohet me çmimin “Panajot Kanaqi”, si valltari më i mirë. Zija Aliu ishte edhe veprimtar i fushave të ndryshme gjatë zhvillimeve të proceseve të popullit tonë.

Qoftë i paharruar kujtimi për ikonën e valleve burimore shqipe, Zija Aliun, pushoft i qetë në dritën e pashterrshme në amshim.

Leave comment

Your email address will not be published. Required fields are marked with *.